Hekurudha Shqiperi-Greqi me projekt te ri

  • 5 years ago
Projekti i ndërtimit të një hekurudhe të përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë daton që në vitin 1991. 27 vjet më pas të dy vendet vendosin që ta zbatojnë këtë ide, edhe pse është zvarritur në kohë nga administrata greke. Thimio Plaku, drejtor i Politikave në Ministrinë e Infrastrukturës thotë se 3 vjet më parë të dy shtetet ranë dakord për vazhdimin dhe ndërtimin e kësaj vepre.

Projekti teknik, për të cilin është bërë një studim fizibiliteti dy dekada më parë, është ndryshuar. Linja hekurudhore e përbashkët me shtetin helen nuk do të jetë më Follorinë-Kristalopigi-Pogradec, për shkak të terrenit të vështirë malor. Thimio Plaku tregon se nyjat lidhëse do të jenë nga Guri i Kuq në Pogradec, ndërsa pikë e re kufitare do të jetë Ieropigia dhe hekurudha do të vazhdojë deri në Kallambakis.

Shqipëria do të ndërtojë 70 kilometra hekurudhë, pasi do të ketë dhe një degëzim nga Ieropigia në Korçë, ndërsa Greqia 150 kilometra. Sipas studimeve paraprake, ndërtimi i saj mendohet të kushtojë 700 milionë euro, 100 për Shqipërinë dhe 600 për Greqinë.

Të dy shtetet presin të marrin financimin për ndërtimin e veprës nga fondet e Bashkimit Europian. Kjo linjë hekurudhore do të jetë e para që lidh Shqipërinë me një vend të BE-së.

Tv Klan

Recommended