Report TV - Refugjatët klandestinë të Lindjes së Mesme zbarkojnë në Vlorë: Shqiptarët janë të mirë
  • 4 years ago
VLORË - Një grup prej rreth 50 klandestinësh janë ndaluar nga autoritetet shqiptare në fshatrat e lumit të Vlorës. Emigrantët nga vende të Lindjes së Mesme, shtete si Kurdistani dhe Iraku, prej dy ditësh gjenden në territorin shqiptar në tentativë për të kaluar drejt vendeve evropiane, Itali, Francë etj. Kjo është hera e parë që fshatrat e Vlorës zgjidhen si rrugë kalimi nga emigrantët e paligjshëm për të kapërcyer kufirin për në vende të Evropës.

Për Report Tv ata shprehen se janë larguar nga vendet e tyre që janë në luftë dhe varfëri për një jetë më të mirë, por theksojnë se pavarësisht se shqiptarët i duken njerëz të mirë, nuk duan të qëndrojnë në vendin ton.

Ata thonë se kanë 2 muaj që udhëtojnë në këmbë, ndërsa në Shqipëri ndodhen vetëm prej dy ditësh pasi kanë kaluar kufirin e gjelbër nga Greqia. Në këtë rrugëtim të vështirë, kanë pasur me vete edhe fëmijë të moshave 4-5 vjeç dhe gra, të cilët flenë rrugëve e shpesh herë pa ushqim.

"Unë dua të shkoj në ndonjë vend europian, Itali, Francë, sepse atje mund të punoj, ndërsa vendi im është shumë i varfër, ka luftë. Atje mund të gjej një vend më të mirë se vendi im.

Ne nuk duam të rrimë në Shqipëri, duam të shkojmë në Evropë. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, jo si turqit, por ne nuk duam të jetojmë këtu. Ne kemi ardhur këtu në këmbë", shprehen disa prej tyre.

Të gjithë të ndaluarit tashmë ndodhen të shoqëruar në komisariat ndërkohë që do të kryhen të gjitha procedurat përkatëse.
Recommended