Fjalimi i parë i Lleshajt si ministër: Policia e Shtetit organizatë me barrë të jashtëzakonshme

  • 5 years ago
Sandër Lleshaj ka organizuar këtë të martë një ceremoni për nisjen e detyrës në postin e Ministrit të Brendshëm, para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës. Në fillim të ceremonisë, ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit dhe më pas shprehu se nderimi ndaj heronjve të Policisë Shqiptare është mënyra më e përshtatshme për të vlerësuar dhe nderuar angazhimin dhe kontributin e të gjithë punonjësve të saj, që sipas tij, me përgjegjësi dhe përkushtim ofrojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike për qytetarët e vendit tonë.

Ministri i Brendshëm theksoi se Policia e Shtetit është organizata që ka mbajtur barrën më të jashtëzakonshme që nga vitet e demokracisë, e pikërisht për këtë arsye, cilësoi se çdo shqiptar duhet të tregojë respekt të lartë karshi saj. Lleshaj, megjithatë, kërkoi që përballë sakrificës së saj fillimisht të përkulet vet ajo dhe çdo pjesëtar i saj.

Por më së pari, përballë kësaj sakrifice kërkohet që të përulet vetë Policia e Shtetit dhe çdo pjesëtar i saj. Profesioni i policit është i bazuar tek nderi, sensi i detyrës dhe integriteti. Një sens i fortë dhe i qartë për nderin personal dhe nderin profesional për punonjësin e policisë janë pjesë thelbësore e identitetit, pjesë e ADN-së së tij. Vetëm këtë mesazh dua të theksoj sot gjatë kësaj ceremonie. Për programin tim, do të kemi kohë që të diskutojmë së shpejti. Vetëm nëpërmjet nderit dhe integritetit të lartë, Policia e Shtetit, ne, mund të gjejmë rrugën e sigurt për tek besimi i qytetarëve të këtij vendi, besim i cili është parakusht absolut për plotësimin e misionit të vështirë, që kemi marrë përsipër.

Recommended